LIBRI: Në përpjekjet për një hulumtim sa më të gjerë e sa më të thellë të muzikës tradicionale shqiptare, rëndësi merr, në radhë të parë, mënyra e ekzistencës, ose, thjesht, ekzistenca e saj. Një çështje e tillë, sa e rëndësishme, aq edhe e ndërlikuar, ende s'ka marrë përgjigje në etnomuzikologjinë shqiptare, mbase për vetë natyrën shumë-dimensionale që e karakterizon atë. Ajo ngërthen një radhë nën-çështjesh, disa prej të cilave ndoshta do të mund formuloheshin në këtë mënyrë - Ku qëndron thelbi lëndoro-substancial e strukturoro-formal i muzikës tradicionale shqiptare? - Si gjallon kjo lloj kulture muzikore në realitetin objektiv? - Cilët janë dialektet, nën-dialektet dhe stilet muzikorë themelorë përmes të cilëve ekziston muzika tradicionale shqiptare? - Cilët janë grupimet strukturoro-formale bazë përmes të cilëve ekziston muzika tradicionale shqiptare? Duke ndjekur sistematikisht rrjedhën e muzikës tradicionale shqiptare, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, dukuria që ra në sy, ishte, në radhë të parë, pikërisht mënyra e ekzistencës, ose thjesht ekzistenca e saj. Libri, Muzika tradicionale shqiptare: Mënyra e ekzistencës, synon që të shqyrtojë aspektet më kryesorë përmes të cilëve ka gjalluar në shekuj universi muzikor tradicional shqiptar, si nga pikëpamja lëndoro-substanciale, ashtu edhe nga pikëpamja strukturoro-formale. Çështjet kryesore që trajtohen janë i) stili muzikor si bazë e ekzistencës; ii) dialektet muzikorë themelorë; iii) grupimet strukturoro-formale bazë; iv) njësia kulturoro-artistike nacionale. Për të kuptuar mënyrën e ekzistencës, ose thjesht ekzistencën, e muzikës tradicionale në rrafsh universal, po ashtu, bëhet një vështrim krahasues estetik, midis muzikës tradicionale dhe muzikës profesioniste, në gjashtë aspekte kryesorë, si: i) procesi krijues; ii) procesi ekzistues; iii) procesi përvetësues; iv) procesi interpretues; v) procesi përjetues; vi) procesi studiues. Megjithse, aspektet kryesorë përmes të cilëve ka gjalluar në shekuj universi muzikor tradicional shqiptar, vetëm sa janë parashtruar, në të njëjtën kohë, ndoshta s'duhet mohuar se, njohja e tyre, qoftë ajo edhe e një shkalle të parë, vetëm se e lehtëson, si kuptimin e përgjithshëm teorik, ashtu edhe hulumtimin e mëtejshëm praktik, të këtij universi.