Në emër të objektivitetit shkencor, autori iu kërkon studiuesve në përgjithësi dhe studiuesve etnomuzikologë në veçanti që - Të mos mendojnë se gjoja, muzika tradicionale arumune e vendeve të Gadishullit të Ballkanit dhe gjithë Europës Juglindore, është thjesht një muzikë e ndikuar nga kulturat muzikore simotra ballkanike (shqiptare, greke, maqedonase, bullgare, rumune, etj.) Në të vërtetë, gjatë shekujve të ekzistencës së saj, ajo lindi, rriti, zhvilloi dhe kristalizoi, në shkallën më të lartë, tiparet e veta themelore dalluese, substanciale e formale. - Të mos nënkuptojnë se gjoja, ndërsa muzika tradicionale arumune e vendeve të Gadishullit të Ballkanit dhe gjithë Europës Juglindore, është ndikuar nga kulturat muzikore simotra ballkanike (shqiptare, greke, maqedonase, bullgare, rumune, etj.), kulturat muzikore simotra ballkanike, s'janë ndikuar prej saj. Në të vërtetë, gjatë shekujve të ekzistencës së vet, muzika tradicionale arumune, nëse, nga njëra anë, është ndikuar nga kulturat muzikore simotra ballkanike (shqiptare, greke, maqedonase, bullgare, rumune, etj.), nga ana tjetër, ajo ka ndikuar mbi 'to. Duke mos pretenduar kurrsesi për një studim shterrues të çështjeve të shumta, sa tërheqëse, aq edhe të ndërlikuara, të universit muzikor tradicional arumun, libri Muzika tradicionale arumune: Hyrje, synon, pa dyshim, që të japë një pamje sa më të gjerë e sa më të thellë të aspekteve më kryesorë, substancialë e formalë, të këtij universi. Në tërësinë e tij, ai shqyrton sidomos pesë çështje themelore, të cilat ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë 1) poezia tradicionale arumune: vështrim tipologjik; 2) poezia tradicionale arumune: aspekte të përmbajtjes; 3) muzika tradicionale arumune: vështrim tipologjik; 4) muzika tradicionale arumune: sistemi modal/tonal; 5) poezia dhe muzika tradicionale arumune: çështje themelore estetike, etj.